- Largimi i ujrave të përdorura
UKKO sh.a. mbulon me shërbimet e mbledhjes dhe largimit të ujrave të ndotura 94% të klientëve në zonën e shërbimit. Zonat e pambuluara me shërbimet e kanalizimeve të ujrave të ndotura i përkasin zonave të ndërtimeve informale në qytetin e Korçës (p.sh. zonat e ish SMT, ish ndërmarrja bujqësore, ish artistikja dhe reparti ushtarak etj.), për një total rreth 650 klientë, si dhe pjesës rurale të zonës së shërbimit për fshatrat e Çifligut dhe Turanit për një total rreth 300 klientë.
Aktualisht rjeti i kanalizimeve në qytetin e Korçës, i cili shërben për mbledhjen dhe largimin e ujrave të zeza si dhe ujrave të shiut (sistem i përzjerë) përfshin një sipërfaqe rreth 82% e qytetit të Korçës. Rjeti i kanalizimeve në këtë zonë, në sajë të investimeve të viteve të fundit me fondet e donatorëve është totalisht i ri, me materiale bashkëkohore dhe në përputhje me standartet Europiane.
Ujrat e ndotura transportohen në impiantin e pastrimit të ujrave të ndotura i ndërtuar në veri të qytetit, që është një impiant trajtimi me teknologji të kostos së ulët (natyrale). Sistemi i mbledhjes dhe transportimit të ujrave të ndotura ka në përbërje të tij, për të përballuar situatat e shirave me intensitet të lartë tre kapërderdhës të ujrave të tepërta si dhe një rezervuar i grumbullimit të ujrave të shiut. .
- Impianti i Pastrimit të Ujrave të Ndotura
Që nga muaji Maj 2012, ujrat e ndotura të qytetit të Korçës trajtohen në një impiant pastrimi me teknologji kostoje të ulet me një sipërfaqe prej 13 ha që ndodhet rreth 2.5 km në veri të qytetit të Korçës që ka kapacitet trajtimi për një popullsi për rreth 85,000 banorë.
Proçesi teknologjik i impiantit realizohet sipas një skeme të kompozuar me sisteme me vaska të ajruara të vendosura në seri e të pasuara nga vaska llustër për nje reduktim akoma më të mirë të ujit të trajtuar deri në parametra në përputhje me standartet Europiane të cilësisë së ujit të pastruar për ambientet pritëse (lumë, liqen etj.), si dhe të trajtimit të llumrave me shtretërit e tharjes së llumit me piksynimin e përdorimin e tyre në bujqësi.