Rrjeti i kanalizimeve në qytetin e Tiranës ka një gjatësi prej 602 km dhe është i sistemit Mix në 90% të tij. Ky rrjet punon me vetërrjedhje deri në pikat përfundimtare të shkarkimit . Për qytetin e Tiranës me rreth 1 000 000 banorë, dy janë pikat përfundimtare të shkarkimit, Përroi i Lanës dhe Lumi i Tiranës.
Në këto zona, përrrenjtë janë të mbyllur me tubacione betoni 2X1000mm, 2X1500mm ose 2X2000mm. Aktualisht shkarkimet e ujërave të ndotura në Përrenj ose Lumë bëhen drejtpërdrejt, pa bërë trajtimin e tyre. Rrjeti i kanalizimeve përbëhet nga tubacione me diametër nga 200mm deri në 2000mm. Materiali i tubacioneve është beton, beton armë dhe PE i brinjëzuar.
Shkarkimi i ujërave Mix në përroin e Lanës ose në Lumin e Tiranës, në pjesë të ndryshme të gjatësisë së tij bëhet nëpërmjet kolektorëve pritës të qytetit ose nëpërmjet përrenjëve, të cilët kalojnë në zona të banuara të qytetit .Në përbërjen e tij rrjeti i kanalizimeve ka edhe pusetat e kontrollit si element bazë për kontrollin dhe mirëmbajtjen e tij.
Një pjesë e mirë e kolektorëve kryesore të qytetit janë ndërtuar sipas studimit dhe projekt-zbatimit të hartuar në vitin 1962, për një periudhë 20 vjeçare dhe për një numër popullsie prej 200-250 mijë banorë.
Aktualisht është duke u ndërtuar një Impiant për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane të cilat mblidhen në Lumin e Lanës, pasi deri më tani shkarkimet janë bërë drejtëpërdrejtë pa bërë trajtimin e tyre. Vendndodhja e këtij Impianti ndodhet në Kashar, në jugperëndim të qytetit të Tiranës, nga i cili do të përfitojnë 350 000 banorë. Ky Impiant do të bëjë të mundur Trajtimin e Ujërave me metodën e Filtrit me Pikim (Trickling Filter) sipas standarteve të kërkuara ku përfshihet dhe procesi i Trajtimit të Llumit.